“Vjosa dhe AIbini vrapuan e u gëzuan, por do të zhgënjehen shumë shpejt”

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi, ka reaguar ndaj Vjosa Osmanit për të cilën thotë se ‘vrapoi nga zyra e Kryetarit të Kuvendit në zyrën e Presidencës’ si dhe komunikatën e VV-së që ‘kërkuan zgjedhje’.

Gjoshi shkruan:

DISA FJALË PËR PËRFITUESIT POLITIK TË SPECIALES

Sot ka qenë dita më e rëndë për Kosovën që nga paslufta. Por edhe në ditë të zeza ka gjithmonë të atillë që fërkojnë duart. Unë do t’i përmend dy prej tyre, të cilët historia nuk i mban mend për asgjë, sepse nuk bën kurrë asgjë për Atdheun e tyre.

>> Vjosa Osmanit nuk iu prit dhe vrapoi nga zyra e Kryetarit të Kuvendit në zyrën e Presidentit. Kjo pseudojuriste që prezantohet gjithkund me titull shkencor “Dr” nuk shquhet në fushën e vet dhe askund nuk i përmendet ndonjë punim shkencor. Ajo “shquhet” vetëm në fushën e urrejtjes politike duke sharë Presidentin Thaçi.

>> Albin K. sot gëzohej si të ishte përfaqësues i Serbisë. Reagimi zyrtar nga partia e Albin K. e dëshmoi atë që e kam thënë disa herë. Albin K. dhe Vetëvendosje e duan Gjykatën Speciale sepse i duhet për eleminime politike.

Veç Albin K. mund t’ia dëgjosh ulërimën për pushtet në ditë të rënda si kjo, sepse për të aspak nuk ka rëndësi Kosova. Kërkesa aq e shpejt për zgjedhje shpërfaq moralin e Albin K. dhe Vetëvendosjes. Thirrjet e tyre kundër Speciales kanë qenë vetëm shtihime speciale propagandistike. E kundërta është dëshmuar nga Albin K. që telefononte nga burgu i Lipjanit dhe urdhëronte deputetët e tij të mos votonin tërheqjen e Gj. Speciale.

Albini dhe Vjosa do të zhgënjehen shumë shpejt. Edhe nga Haga kur t’i dëgjoni do të tmerroheni. Sepse të bësh luftë për lirinë e Atdheut tënd është vepër madhore, e rrallë, dhe e pakrahasueshme me postet politike disa vjeçare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *