Kujdes gjate Lutjes. Keto jane Sekretet e pranimit te Lutjeve..!?

Kujdes gjate Lutjes. Keto jane Sekretet e pranimit te Lutjeve..!?

Lutja është ibadet (adhurim) dhe sigurisht që feja ka shpjeguar rreth saj. Përpara se të kërkojmë përgjigje për lutjet tona, ne fillimisht duhet të kuptojmë thelbin e lutjes, për të cilën kisha thënë: Lutja është një raport sekret mes robit dhe Krijuesit të vet, ku ai lavdëron Allahun, shprehë mirënjohjen ndaj Tij, qan hallin e vet apo të vëllezërve të tij, shfaqë nevojën për ndihmë, kërkon diçka konkrete dhe pastaj Allahu i Gjithëdijshëm i përgjigjet duke ia plotësuar kërkesën, ose duke ia dhënë një të mirë tjetër që ai ka harruar apo nuk ka ditur ta kërkojë, ose ia ruan shpërblimin për ditën e Gjykimit, për ditën kur ka më së shumti nevojë.

Pra, detyrë e jona është që sa më shumë ta lusim Allahun, sepse Allahu ka thënë:“Zoti juaj tha: Më lutni që t’ju përgjigjem! Ndërsa ata që bëhen mendjemëdhenj ndaj adhurimit Tim, do të hyjnë në xhehenem të poshtëruar”(Gafir 60).

Mirëpo, s’kemi pse të kërkojmë përgjigjen me shpejtësi, sepse Allahu e di çka është më e mirë për ne, madje nëse ngutemi rrezikojmë ta humbim pranimin e lutjes sonë. Ebu Hurejra, radijallahu anhu, përcjellë se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë:“Lutja e juaj pranohet përderisa nuk nguteni duke thënë: u luta, u luta por nuk mu pranua” (Buhariu nr. 5981 Muslimi nr. 2735).

Nëse e ke gjendjen keq, lutju Allahut pa ndërprerë, kërko përkrahjen dhe ndihmën e Tij dhe ji i sigurt se Allahu do të përgjigjet.

Po ashtu, ki parasysh edhe këtë hadith që e përcjellë Ebu Seid Hudriu, radijallahu anhu, se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Çdo musliman në gjithë tokën që bën një dua, ku nuk lutet për të bërë ndonjë gjynah e as për të prishur lidhje familjare, Allahu ka për t’ia dhënë një nga tri gjërat: ose ia pranon lutjen çfarë ka kërkuar, ose ia ruan shpërblimin për në ahiret ose ia largon një të keqe të ngjashme”.‘Atëherë të lutemi më shumë’ – thanë shokët e tij. “Allahu ka edhe më shumë” – tha Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem. (Tirmidhiu nr. 3573)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *