“Parashikimi” i Baba Vangës, çfarë do të ndodhë me njerëzimin në vitin 2022..!? A i Besuat..!?
“Parashikimi” i Baba Vangës, çfarë do të ndodhë me njerëzimin në vitin 2022..!? A i besuat..!?




Parakallëzimi i së ardhmes dhe Islami
Interesimi për të ardhmen, se çfarë do të ndodhë dhe se si do të jetë e nesërmja, është një nga gjërat të cilat kanë ngritur kureshtjen e njerëzve që nga kohërat e hershme. Prandaj ekzistimi i fenomenit të parathënies ose i parashikimit nuk është karakteristikë e një populli të veçantë apo e një kohe të caktuar.
Sido që të jetë, njeriu duhet ta kuptojë se jo çdo dituri me të cilën janë marrë njerëzit në të kaluarën është e dobishme për të ose i lejohet atij që ta mësojë e punojë me të. Përcillet se Muhamedi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, shpesh bënte këtë lutje:




“O Zoti im, unë kërkoj mbrojtjen Tënde nga dituria e cila nuk ka dobi, zemra e cila, nuk ka druajtje, epshi i cili nuk ngopet kurrë dhe lutja e cila nuk ka përgjigje.”
Nga ky hadith kuptojmë se si i Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, kërkon mbrojtje nga ajo dituri e cila nuk është e dobishme.
Gjithashtu, Allahu i Lartësuar thotë për ata njerëz të cilët mësojnë magjinë:
“… dhe ashtu mësonin ata, gjëra (dituri) që u sillnin dëm e nuk u sillnin dobi atyre.”




Këto citate na bëjnë të ditur neve se jo çdo dituri është e lejuar për njeriun që ta mësojë e të merret me të, pasi ekzistojnë dituri që janë të dobishme dhe dituri që janë të dëmshme. I Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, kërkon mbrojtje përgjithësisht nga ato dituri që janë të dëmshme dhe të padobishme. Ndërsa nga dituritë më të papranuara dhe më të dëmshme për njeriun që t`i mësojë janë ato që paratregojnë ndodhitë për të cilat nuk i di askush tjetër përveç Allahut të Madhëruar.
Fatkeqësisht kemi metoda të shumta te njerëzit me të cilat ata e parashikojnë të ardhmen dhe ndër format më të njohura që janë të përhapura mund të përmendim këto:
– ASTROLOGJIA, vëzhgimi i pozicioneve të planetëve dhe parashikimi i fatit përmes pozitës së yjeve dhe trupave të tjerë qiellorë. Kjo formë e parashikimit njihet edhe me termin HOROSKOP;
– NEKROMANCIA, parashikimi i fatit duke pretenduar kontaktin me shpirtrat e të vdekurve;




– SORTILOGJIA, parashikimi i së ardhmes duke hedhur short. Kjo formë ishte e njohur tek arabët para ardhjes së Muhamedit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të;
– GEOMANCIA, parashikimi i fatit përmes komentimit të shenjave që paraqiten në tokë;
– PIROMANCIA, vrojtimi i fatit dhe parashikimi i ngjarjeve të ardhshme përmes zjarrit;
– HIROMANCIA, parashikimi i fatit përmes leximit të gjurmëve dhe vragave nga shuplaka e dorës;
– KAFFEMANCIA, parashikimi i fatit përmes filxhanit të kafesë, një praktikë shumë e popullarizuar te njerëzit, posaçërisht te gratë;
-KARTOMANCIA, vrojtimi i fatit përmes letrave të lojës ose duke përdorur
letra speciale të quajtura “TAROT”.




– KRISTALOMANCIA, parashikimi i fatit përmes sferës së kristaltë, etj.
Të gjitha këto metoda, por edhe të tjerat të cilat nuk i kemi përmendur, janë të ndaluara të mësohen, të përdoren dhe t’i besojmë se janë të vërteta.
Pse ndalohet parashikimi i së ardhmes nëpërmes këtyre metodave
Besimtari i sinqertë duhet ta kuptojë se Zoti është Ai i cili i cakton gjërat dhe se Ai është shkaktuesi i tyre. Me fjalë të tjera, në zhvillimin e ngjarjeve nuk kanë mundësinë të ndikojnë yjet, pozicioni i planetëve, shenjat e gishtërinjve, shpirtrat e njerëzve të vdekur, filxhani i kafesë dhe gjëra të ngjashme.




Prandaj mësimi i të gjitha metodave të cilat paratregojnë të ardhmen shpijnë në mëkate, madje këto e fusin njeriun në mosbesim dhe idhujtari. Kjo për faktin se njeriu në vend që t’i mbështetet Allahut të Gjithëdijshëm, me dëshirën e vullnetin e të Cilit realizohet çdo gjë, ai mbështetet tek krijesa e Allahut sikurse janë yjet e planetët duke menduar se një lëvizje e caktuar e këtyre përcakton edhe zhvillimin e gjërave.
Allahu i Lartësuar tregon se Muhamedi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, edhe pse ishte njeriu më i afërt me Krijuesin, nuk e kishte këtë mundësi, e për të tjerët është edhe më e pamundur.
Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: “Thuaj (O Muhamed): `Unë nuk mund t’i sjell vetes as dobi, as dëm, përveçse aq sa dëshiron Allahu. Sikur ta dija gajbin (të padukshmen dhe të ardhmen), do t’i shumoja të mirat dhe nuk do të më prekte asnjë e keqe. Unë jam vetëm paralajmërues dhe sjellës i lajmeve të mira (nga Allahu) për njerëzit që besojnë.”




Gjithashtu thotë: “Thuaj (o Muhamed): `Askush, përveç Allahut, në qiell apo në tokë, nuk i di të fshehtat dhe as nuk do ta dijë se kur do të ringjallet.”
Ndërsa nga Muhamedi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, ekzistojnë shumë thënie të cilat paralajmërojnë për rrezikun e parashikimit të së ardhmes nga fallxhorët, pa marrë parasysh se çfarë metode përdorin ata. Ndër këto thënie do të përmendim:
– Me një rast Muavie ibn Hakem Sulemi e pyet të Dërguarin, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të: “O i Dërguari i Allahut, ka disa njerëz prej nesh që shkojnë te fallxhorët (ata që paratregojnë të ardhmen).” Ai iu përgjigj: “Mos shko ti tek ata.”




– Ndërsa për mësimin e këtyre diturive i Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të thotë: “Kush mëson diçka nga astrologjia, duke pretenduar se përmes asaj dijeje mund t’i njohë të fshehtat e së ardhmes, ai ka mësuar pjesë nga magjia. Sa më shumë që e shton këtë dituri, aq më shumë zhytet në mëkat.”
– Gjithashtu ai thotë: “Kush shkon te parashikuesi dhe beson në atë që ai thotë, vetëm se ka mohuar atë që i është zbritur Muhamedit.”




Të gjithë ata të cilët pohojnë dituri për të ardhmen, pa marrë parasysh se në çfarë forme e bëjnë këtë, ata janë kundërshtues ndaj besimit të mirëfilltë. Njerëzit e këtillë pohojnë se personalitetet dhe e ardhmja e njerëzve është e përcaktuar nga yjet, plantët, formimi i fijeve nga kafja në filxhan apo vijat në pëllëmbë etj. Në të gjitha rastet këta individë pohojnë aftësi në leximin e diturisë së fshehtë nga formimi fizik i objekteve të krijuara.




Prandaj, njerëzit obligohen që të rrinë sa më larg këtyre gjërave. Ato janë pjesë e një sistemi të fabrikuar i cili propagandon mosbesim dhe duhet t’i japim fund krejtësisht dhënies pas këtyre gjërave.
Besimtari i cili dëshiron ta mbajë besimin e tij të pastër duhet të ketë kujdes nga librat, revistat, gazetat apo edhe individët të cilët në një mënyrë ose tjetër thonë se dinë të ardhmen ose të padukshmen. Mbështetja dhe dhënia pas këtyre besimeve cenon mbështetjen në Zotin e Gjithëdijshëm, i Cili është i vetmi që cakton ndodhinë e gjërave.



